Ndërron jetë Tom Nikolla, rapsodi i njohur nga Puka

TIRANË, 17 janar/ATSH/ – Rapsodi i njohur Tom Nikolla, një prej ambasadorëve të kulturës pukjane në Shqipëri dhe mbarë botën ka ndërruar jetë.

Rapsodi i shquar popullor është një nga kontributorët më në zë për artin dhe kulturën pukjane, e më gjerë për atë mbarë shqiptare.

Me ndarjen nga jeta të Tom Nikollës, Puka humbi një nga njerëzit e shquar të saj, por edhe Shqipëria humbi një nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Kryetari i bashkisë së Pukës sot në një mesazh ngushëllimi për rapsodin e njohur shprehet se “personifikimi i çiftelisë dhe rapsodisë popullore, Tom Nikolla do të mbahet mend gjatë tek brezat si një prej artistëve më në zë të Pukës dhe mbarë Shqipërisë”.

“Tom Nikolla gjithnjë në aktivitetin e tij si artist ka bërë krenar çdo pukjan, teksa renditet ndër rapsodët dhe instrumentistët më të mirë të Shqipërisë. Ai ishte i pari artist shqiptar që mori “Medaljen e Artë” në festivalin e Moskës, ndërsa jo shumë vite më pas talenti dhe puna e tij shpërblehet me “Medaljen e Argjendtë” në Egjipt. Asnjëherë nuk e mohoi vendlindjen, Iballën dhe Pukën duke e përfaqësuar denjësisht atë”, thekson Gjonaj.

Gjonaj i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë adhuruesve të këtij artisti, që sipas tij, do i mungojë të gjithëve.

Tom Nikolla është nderuar më herët me titullin “Qytetar Nderi” i Pukës. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.