Krimet e Rënda, “arrest me burg” për Klement Balilin

TIRANË, 17 janar/ATSH-A. Fortuzi/ – Klement Balili doli përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda të enjten, ku u zhvillua seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj tij.

Dy ditë më parë, Balili u ndalua, pas negociatave me policinë. Balili ishte një nga më të kërkuarit nga policia. Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe gjykata ka dhënë masën “arrest me burg” për të.

Avokati Theodhori Sollaku, duke folur për mediet në fund të seancës së masës së sigurisë tha se nuk ka prova ndaj klientit të tij. “Lidhur me Klementin nuk ka prova direkte dhe indirekte. Ai mohoi akuzat ndaj tij”, tha Sollaku.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzat e “trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve në formën e grupit kriminal”, “fshehje pasurie”, “krijim grupi kriminal”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.