GJERMANI – Ambasadori rus: Kërcënimet amerikane për sanksione në lidhje me gazsjellësin të jashtëligjshme

BERLIN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Ambasadori rus në Gjermani, Sergei Neçajev dënoi sot kërcënimet amerikane për sanksione ndaj sipërmarrjeve gjermane për përfshirjen e tyre në projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, duke e quajtur atë një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të normave tregtare.

Sergei Neçajev tha se “kërcënimi i ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell për aktorët e përfshirë në projekt ishte një mënyrë e papranueshme për të ushtruar presion pa asnjë lidhje me ligjin ndërkombëtar ose praktikat e tregtisë së lirë dhe të drejtë”.

Sipas Neçajev, “SHBA-ja po ushtron presion për shkak të dëshirës së Uashingtonit për të eksportuar më shumë gaz natyror të lëngshëm drejt Europës”.

Edhe politikanët gjermanë kanë shprehur zemërim ndaj kërcënimit të bërë nga ambasadori amerikan. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.