FOTO/ “Artisti i vetëm”, premiera e radhës në Teatrin Eksperimental

TIRANË, 17 janar /ATSH/ – Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli”  në vijim të sezonit artistik për publikun vjen një tjetër premierë teatrore. “Artisti i vetëm”, një vepër që mban emrin e dramaturgut dhe romancierit të njohur gjerman Ralph Hammerthaler vjen në skenë me regji nga Naim Berisha, i cili është dhe protagonist në këtë shfaqje.

Monodrama në teatër edhe këtë herë do të përcjellë mesazhe për publikun mbrëmjen e datës 18 janar, që është dhe premiera. Monodrama “Artisti i vetëm” trajton një temë shumë aktuale sociale dhe ka mesazh universal. “Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.

Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të tekstit Hans Klip vetëlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke rënë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

“Vepra në mesazhin e saj, bën thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetnuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës”, shkruan teatri për këtë shfaqje në skenë.

Në aktivitetin e tij artistik me teatrin aktori nga Kosova Naim Berisha është i njohur për punën e tij me shfaqje të ndryshme. Këtë muaj të parë të vitit ai është në Tiranë me një nga veprat, që dhe në botë është e njohur dhe e vlerësuar me mesazhet, që përcjell te publiku. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.