Flamingot lozonjarë, spektakël natyror në Zvërnec

TIRANË, 17 janar /ATSH/ – Turizmi i vëzhgimit të shpendëve ujore, që në instiktin e tyre kanë të qëndruarit në grup, po kthehet në trend edhe në Shqipëri.

Popullimi i lagunave së Karavastasë dhe të Nartës me flamingo, që së fundmi janë shfaqur edhe në Kune-Vain ka shtuar numrin e vizitorëve në këto atraksione turistike.

Laguna e Nartës është quajtur dhe “Shtëpia e Flamingove” për vetë pozicionin gjeografik dhe thellësinë e ujit.

Shpendë lozonjarë, flamingot dhurojnë spektaklin e tyre natyror dhe gjatë këtij muaji për turistët vendas dhe të huaj. Këto shpendë janë kthyer tashmë në habitatin e tyre natyror në lagunën e Nartës, kjo falë dhe moratoriumit të gjuetisë, i cili përherë e më shumë po shton faunën në zonat turistike.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi publikon pamje të flamingove në Zvërnec, duke u shprehur se “shpendët dimërues të ujit në lagunën e Nartës, janë një atraksion i shtuar për turistët e pasionuar pas vëzhgimit të zogjve”.

“Efektet e moratoriumit, dëshmuar edhe nga shifrat në rritje të censit të fundit të shpendëve, po i kthejnë ligatinat shqiptare në destinacione turistike të faunës së pasur e natyrës së bukur”, thekson Klosi.

Laguna e Nartës është laguna e dytë më e madhe në Shqipëri për nga rëndësia, pas lagunës së Karavastasë. Në këtë lagunë jetojnë rreth 20 mijë shpendë të mbi 40 llojeve. Kjo lagunë shërben si vend ushqimi edhe për Pelikanin kaçurrel. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.