Dekretimi i Ramës ministër i Jashtëm, Meta: Sipas frymës së Kushtetutës 

TIRANË, 17 janar /ATSH- I. Vata/ – Dekretimi i kryeministrit Edi Rama edhe në pozicionin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, do të jetë në frymë të Kushtetutës dhe të precedentëve në vendin tonë dhe të vendeve të tjera, kryesisht të Italisë. Kështu deklaroi presidenti Ilir Meta i ftuar mbrëmjen e së enjtes në një studio televizive.

I pyetur në lidhje me dekretimin e Kryeministrit si Ministër i Jashtëm, presidenti Meta tha jemi në rastin kur kryeministri kërkon të bëhet Ministër i Jashtëm, pra nuk jemi në rastin kur ministri kërkon të bëhet kryeministër apo të marrë dhe një ministri tjetër apo një funksion tjetër.

“Kushtetuta nuk detajon dot çdo gjë, prandaj kemi ligje dhe në fund Gjykatë Kushtetuese ku vlerësohet që veprimi është bërë apo jo në përputhje me Kushtetutën, kemi dhe Kuvend që e shikon nga ana kushtetuese e nga ana ligjore”, argumentoi presidenti.

Meta shtoi se Kushtetuta as nuk e presupozon në mënyrë të qartë që kryeministri mund të ketë dhe një funksion tjetër brenda kabinetit, “por ne do shohim precedentët e vendeve të tjera”.

“Presidenti ka të drejtë të bëjë interpretimin fillestar të Kushtetutës në një rast të tillë. Kushtetuta as nuk e presupozon në mënyrë të qartë që kryeministri mund të ketë dhe një funksion tjetër brenda kabinet as nuk e përjashton në një mënyrë të qartë, por ajo që po bëjmë ne po shikojmë parimet e Kushtetutës tonë për të bërë një gjykim më të përgjegjshëm. Shikojmë precedentët tanë, shikojmë precedentët e vendeve të tjera dhe rasti kryesor është ai i Italisë ku është bazuar raporti i modelit të presidentit me qeverinë edhe me legjislativin për të arritur në një konkluzion sa më të drejtë dhe kushtetues dhe logjik”, theksoi Meta.

Për sa i përket nenit 103, pika 2 sipas të cilit ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse, Meta shtoi:  “Nuk thashë as do e dekretoj dhe as nuk do e dekretoj. Do të këshillohem dhe do marrim një vendim, sepse ka shumë nene të tjera. Ne do marrim vendimin më të drejtë me kushtetutën dhe me frymën e kushtetutës”, theksoi Meta. /j.p/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.