BM – Votimi i ri mbi marrëveshjen e Brexit më 29 janar

LONDËR, 17 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministrja Theresa May përgatitet të zhvillojë një tjetër votim më 29 janar mbi marrëveshjen që përcakton kushtet e largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, pas një humbje të ndjeshme në votimin e parë që u zhvillua në fillim të kësaj jave.

“Ky votim do të vijë pas një debati mbi hapat e radhës së qeverisë në lidhje me marrëveshjen e Brexit”, tha Andrea Leadsom, lideri i konservatorëve në dhomën e Komuneve, dhoma kryesore e Parlamentit.

“Një deklaratë dhe një mocion do të jenë hapat e radhës së qeverisë… që parashikohen të hënën”, tha Leadsom në Parlament, duke shtuar se një debat i plotë mbi mocionin do të zhvillohet më 29 janar.

May humbi votimin mbi marrëveshjen e saj të Brexit me një rekord votash prej 432 deputetësh kundër 202, pasi konservatorët pro BE-së dhe pro Brexit iu bashkuan në masë deputetëve të opozitës duke votuar kundër. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.