Vlorë, pastrim 100% i rrjedhës së kanaleve kulluese

TIRANË, 16 janar/ATSH/ – Pastrimi i kanaleve të ujërave të larta për të zgjidhur problematikën e përmbytjeve është në fokusin e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë dhe bashkisë së qytetit bregdetar.

Në këtë kuadër po punohet për shembjen e ndërtimeve apo objekteve që bëhen pengesë për funksionimin normal të tyre. Prej vitesh këto ndërtimeve kanë dëmtuar kanalet e ujërave të shiut dhe kanë sjell shpesh probleme në qytet.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili inspektoi sot punën që po bëhet për lirimin nga ndërtimet, të kanalit kullues nga Drejtoria e Policisë deri tek Paraburgimi.

“Po punojmë për sistemimin e gjithë këtij territori për çmontimin dhe hapjen e objekteve që janë pengesë për kalimin dhe mirëfunksionimin e këtyre ujërave që kalojnë në këtë kanal kullues”, theksoi Xhelili.

Sipas tij, bashkia Vlorë nuk do ndalet para asgjëje, sidomos kur bëhet fjalë për interesin e gjithë qytetit, për investimet që kanë të bëjnë me përmbytjet.

“Këtu është një segment që ka qenë i bllokuar për sa i përket kanalit në brendësi, por edhe sipërfaqes së tij, ka pasur objekte që i kishim prishur plotësisht apo zhvendosur”, nënvizoi Xhelili duke shtuar se këtë objekt kemi për ta zhvendosur në bashkëpunim me Inspektoriatin Ndërtimor.

Ai shtoi se “do të vazhdojmë në zonën mbi spitalin e Vlorës, në lagjen “15 Tetori”, ku është problematika më e madhe se ka edhe objekte banimi apo mure rrethues të këtyre objekteve”.

“Po ashtu do të vazhdojmë me lagjen “Lirim” dhe gjithë rrjedha e këtij kanali do të jetë e pastër 100%”.

Prej vitesh në këto zona, ndërtimet pa kriter kanë mbuluar totalisht kanalet, duke i nxjerrë ata jashtë funksionit. Çdo kanal i ujërave të larta, do të dalë në ‘dritë’ dhe do të garantohet funksionimi normal i tyre, për të pasur një qytet në normalitet gjatë reshjeve të shiut, pa përmbytje. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.