Qytetari nga Preza, Ramës: Kam votuar PD por qeverisja socialiste më zgjidhi problemin

TIRANË, 16 janar /ATSH-Gjergji Mima/ -Qytetari nga Preza Nuredin Cena, gjeti zgjidhje tek platforma e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” për legalizimin e banesës së tij pas një sorollatjeje disavjeçare.

Cena kishte aplikuar që në vitin 2006 për një leje legalizimi të banesës së tij dykatëshe, por nuk morri kurrë një përgjigje.

Qytetari kishte aplikuar pranë ZVRPP Tiranë për regjistrimin e lejes së legalizimit ku afati përfundimtar për dhënien e shërbimit ishte data 11 tetor 2018.

I gjendur në kushtet ku shërbimi nuk është ofruar brenda këtij afati qytetari iu drejtua platformës më 25 dhjetor 2018 dhe më datën 9 janar u pajis me certifikatë pronësie. Rasti i qytetarit u trajtua nga Ministria e Drejtësisë.

Në takimin e përjavshëm të “Bashkëqeverisjes” me Kryeministrin Rama, ai tha se i kishte shkruar tri herë letra zyrtare ish-ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe ish-Kryeministrit Berisha, të cilët nuk ju përgjigjën asnjëherë për shqetësimin e adresuar prej tij.

Ai tha se ishte një votues i PD, por zgjidhjen sikurse u shpreh Cena, iu dha vetëm nga qeveria socialiste përmes platformës.

“Kisha aplikuar që në vitin 2006 dhe asnjëherë nuk mora përgjigje. Te ALUIZNI më thoshin që ka mbivendosje. Tre kërkesa i çova ish-ministrit Alibeaj me shkrim, se ishte qeveria që kisha votuar. Derisa erdhi qeveria socialiste. Gjithmonë isha votues i së djathtës dhe ndjekës i PD. Madje i shkrova mesazh kryeministrit të asaj kohe, në një numër telefoni që e kishte vendosur ai për qytetarët dhe hiç. Arriti kjo qeveri që nuk e votova kurrë, të më plotësojë një kërkesë. Sot arrita ta merrja lejen dhe të falenderoj ty dhe qeverinë tënde zoti Rama”, tha Cena.

Duke folur për rastin Kryeministri Rama u shpreh se, “së shpejti do të hyjë në fuqi ligji i ri dhe do të kemi bashkimin e ALUIZN-it dhe Hipotekës dhe do të kemi një agjenci kombëtare që do të merret me ligjin e pronës. Kjo do të bëjë që të eliminohen ecejaket, sepse do të ketë vetëm një adresë, një sportel për çështjet e pronës dhe legalizimet”.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.