OEK memorandum bashkëpunimi me Federatën e Odave të Emirateve të Bashkuara Arabe

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ – Oda Ekonomike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar se në kuadër të Forumit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që po mbahet në Dubai, ka nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit me Federatën e Odave të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky Memorandum ka për qëllim nxitjen e investimeve reciproke dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik tregtar si dhe raporteve miqësore në mes dy vendeve.

“Gjithashtu përmes këtij memorandumi synohet promovimi i bashkëpunimit në mes të komunitetit biznesor të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kosovës. Në këtë forum ekonomik po marrin pjesë edhe biznese kosovare nga sektorë të ndryshëm, të cilët në takimet B2B po shfaqin potencialin e tyre dhe po krijojnë lidhje biznesore me biznese nga EBA”, theksohet në njoftim.

Sipas OEK, ky forum duhet të shërbejë si pikënisje e bashkëpunimit reciprok me rezultate konkrete në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe fuqizimit të sektorit privat. /KosovaPress//e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.