FOTO/ Bashkia e Tiranës nis punën për dyfishimin e kapacitetit filtrues të ujit në Bovillë

Veliaj: Investimi më i madh në ujësjellës në 20 vite

TIRANË, 16 janar/ATSH/- Tirana ka hyrë në një epokë të re të furnizimit me ujë. Falë performancës së mirë të UKT-së dhe ndihmës nga BERZH-i, bashkia e Tiranës ka nisur investimin më të madh në 20 vitet e fundit në ujësjellës, për të dyfishuar kapacitetin përpunues dhe filtrues të ujit në impiantin e Bovillës, si dhe për të ndërtuar një linjë të re transmetimi, e cila rrit ndjeshëm furnizimin me ujë për qytetarët, veçanërisht për ata që jetojnë në periferi.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të UKT-së, Redi Molla, inspektuan punimet që po kryhen për rritjen e kapacitetit filtrues të Bovillës, ndërsa theksoi se ky investim i përgjigjet zhvillimit demografik që ka pësuar Tirana në afro dy dekada.

“Para 20 vitesh, Tirana kishte gjysmën e popullsisë, me dyfishimin e popullsisë, janë dyfishuar nevojat për ujë. Ndaj, po fillojmë dyfishimin e impiantit të Bovillës. Është një ditë historike për ujësjellës-kanalizimet, jo vetëm të Tiranës, por të Shqipërisë, sepse 1/3 e popullsisë jeton në Tiranë. Ky është ndoshta investimi më i madh pas 20 vitesh për kryeqytetin shqiptar, kur vjen puna te furnizimi me ujë”, tha Veliaj.

Nisja e këtij investimi, për kryebashkiakun e Tiranës shenjon nisjen e realizimit të premtimit se Tirana do të ketë 24 orë ujë në 5 vjet.

“Ashtu siç kemi premtuar, kjo shënon edhe nisjen e kronometrit për premtimin tonë të 5 viteve: ‘Tirana, ujë 24 orë’. Ka qenë një betejë! Beteja në këshillin bashkiak, betejë politike. Faktet janë kokëforta, Tirana ka ende sot ujin më të lirë nga qytetet kryesore në Republikën e Shqipërisë, e megjithatë, ne prapë do të vazhdojmë për t’u siguruar që administrohet mirë çdo qindarkë”, tha ai kryebashkiaku.

Investimi do të kryhet në dy faza, ku njëra prek rritjen e kapacitetit përpunues të ujit në Bovillë, çka krijon mundësinë që UKT të ketë më shumë ujë për të shpërndarë në rrjet. “Nga shtimi i këtij impianti do të përfitojë kryesisht zona e Yzberishit, zona e Astirit, zona e Unazës së Re, dhjetëra pallate që kanë ardhur aty kohët e fundit, e që kanë qenë më parë në Komunën e Kasharit”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, faza e dytë parashikon nisjen e punës për shtrimin e një rrjeti të ri të transmetimit të ujit nga Bovilla në qytet, ku përfituesit kryesor do jenë kryesisht zonat fundore të Tiranës, si zona e Astirit dhe Unazës së Re. “

Ai shtoi se puna në Bovillë synohet të përfundojë brenda verës, ndërsa ajo për linjën e re të dedikuar brenda vitit.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.