Dje dhe sot/ Transformimi i Qendrës Shëndetësore në Rranxë, Bushat

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Falë programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të mandatit, Qendra Shëndetësore në Rranxë, Bushat, në Shkodër është transformuar tërësisht.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot transformimin total e kuptimplotë të kësaj Qendre Shëndetësore.

“Mirëmëngjes dhe me një transformim total e kuptimplotë për këdo që do të shikojë, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.

Edhe mjekët e qytetarët shprehen mjaft të kënaqur me ndryshimet.

Dr. Fatmir Gorilla, mjek i kësaj qendre shëndetësore thekson se “ajo ka qenë komplet e amortizuar dhe kemi punuar me shumë vështirësi, ndërsa tani është e standardeve bashkëkohore dhe jam shumë i kënaqur.”

“Të bësh një krahasim si ka qenë e si është është, është si dita me natën, pasi ka pasur shumë probleme”, shprehet infermierja Afërdita Leti.

Ndërsa një tjetër infermiere që punon në këtë qendër shëndetësore, Rajmonda Gjinaj shprehet se për shkak të mykut të tepërt e lagështirës këtu nuk mund të punohej, ndërsa sot kjo qendër është perfekte. “Është si një ëndërr për ne që punojmë këtu”, tha ajo.

Edhe qytetarët shprehen shumë të kënaqur me kushtet dhe shërbimin në këtë qendër. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.