ANKARA – Erdogan kërkon zonë sigurie në Siri nën kontrollin turk

ANKARA, 16 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi sot se Turqia është e gatshme të ngrejë një zonë sigurie në Siri mes kufirit të saj dhe pozicioneve të milicisë kurde të mbështetur nga Uashingtoni, një vendim që shihet nga Damasku si një agresion.

Ky dispozitiv u përmend në një bisedë telefonike të zhvilluar të hënën në mbrëmje mes Erdoganit dhe Donald Trump që kishte për synim të ulte tensionet pasi presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të shkatërronte ekonominë e Turqisë nëse ajo sulmonte luftëtarët kurdë në Siri.

”Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë do të takohet me homologun e tij amerikan sot në Bruksel për të përcaktuar modalitetet e kësaj zone sigurie që do të jetë nën kontrollin e Turqisë”, sipas zëdhënësit të presidentit turk, Ibrahim Kalin.

Por, krijimi i një zone të tillë do të thotë që milicia kurde YPG të pranojë të largohet nga pozicionet e saj përgjatë 900 kilometrave të kufirit turko-sirian, ku milicia kurde kontrollon një pjesë të madhe. /G.S/ A.JOR.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.