VIDEO-FOTO/Tarifat e reja, fluks studentësh në fakultete

TIRANE, 15 janar/ATSH/- Në Universitetin e Mjekësisë, Holta Seferi përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ”interesimi i studentëve ka qenë i konsiderueshëm”.

Për studentët ekselentë të cilët përfitojnë bursë nuk ka nevojë për asnjë dokument, për shkak se ata janë në listën e universitetit sipas notës mesatare, ndërsa për pjesën tjetër varet sipas kategorisë përkatëse.

Në Fakultetin e Stomatologjisë, Tiranë një student u shpreh për ATSH-në se “nga janari po bëjmë mësim tamam. Orët e humbura për shkak të protestës studentore do të zëvendësohen”.

Një tjetër studente pranë këtij fakulteti tha se “ata që kanë mesatare mbi 9 përfitojnë 100% të bursës. Unë do paguaj 50% pasi e kam mesataren më pak se 9. Orët e humbura na kanë bërë me dije se do të zëvendësohen”.

Gjithashtu pranë Fakultetit të Stomatologjisë përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Dorina Rapti tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “ne ndodhemi këtu prej ditës së djeshme dhe jemi paraqitur që në orët e para të mëngjesit për të asistuar në lidhje me VKM-të kryesisht për tarifat dhe bursat e studentëve”.

“Kemi komunikuar me administratorin dhe dekanin për të parë dhe se si ata e kanë përcjellë informacionin, se si janë llogaritur bursat që i takojnë studentëve ekselentë. Ata i kanë përcjellë këto lista në senatin e universitetit dhe tek studentët”, përfundoi Dorina Rapti, përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit pranë Fakultetit të Stomatologjisë.

Në Universitetin e Sporteve në kryeqytet ka nisur zëvendësimi i orëve të humbura gjatë të shtunave dhe të dielave.

Një studente pranë këtij universiteti u shpreh për ATSH-në se “të shtunën dhe të dielën po zhvillojmë mësim. Jemi të interesuara që mësimi të vijojë dhe interesi jonë ishte për uljen e tarifës dhe ne morëm atë”.

Një tjetër studente tha se “e kemi mbështetur grevën dhe tani po rikuperojmë orët e humbura gjatë të shtunave dhe të dielave. Isha e interesuar për pjesën e tarifës dhe u përgjysmua dhe jam shumë e kënaqur për këtë”.

Mënyrën sesi do zhvillohet zëvendësimi i orëve të humbura në Universitetin e Sporteve në Tiranë gjatë fundjavave e shpjegoi gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Rektori i këtij universiteti, Agron Cuka i cili u shpreh se, “që më datë 7 janar filluam procesin mësimor dhe kur u pa që kishte rritje të fluksit të studentëve u mblodhëm si rektorat duke marrë në konsideratë këtë gjendje që ne të zëvendësonim 10 ditë humbura mësimi gjatë të shtunave dhe të dielava”.

“Fluksi i studentëve është në rritje, ditën e djeshme një grup studentësh u nisën për kursin e skive dhe nga 153 studentë që u nisën mungonin 3 ose 4 studentë”, tha Cuka.

“Patëm një kërkesë nga studentët ngritën disa probleme të cilat ne ja sqaruam dhe ja kemi hedhur në sajtin e tyre të gjitha VKM-të që janë marr dhe të gjitha vendimet që ka marrë senati ynë në përputhje me këto vendime dhe studentët vijojnë mësim normalisht në këtë universitet”, përfundoi rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Cuka. /a.fortuzi/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.