Unaza e Myzeqesë, infrastrukturë me standarde për 40 mijë banorë

TIRANË, 15 janar /ATSH/ – Fondi Shqiptar për Zhvillim njoftoi se ka filluar puna në lotin e parë të unazës bujqësore të Myzeqesë, një aks me gjatësi 11 km.

Kjo rrugë do të lidhë zonat e Bubullimës, Krutjes dhe Fiersheganit me rrugët kombëtare Lushnjë-Fier dhe Lushnjë-Berat. Parashikohet që ndërtimi i unazës së re të integrojë investimet që gjenden në këtë zonë.

Kjo rrugë do u mundësojë fermerëve të zonës kosto më të ulëta për prodhimin e produkteve bujqësore dhe tregtimin e tyre.

Përgjatë kësaj rruge gjenden 6700 hektarë tokë e kultivuar, 189 hektarë serra dhe 93 hektarë pemë.

Unaza e re do të këtë 2 korsi për automjetet dhe 3,2 km trotuare për këmbësorët. Gjithashtu do të ndërtohen trotuarë me gjatësi 3,6 km në zonat e banuara. Ky aks rrugor do të ketë infrastrukturë nëntokësore për kanalizimet e ujërave dhe ndriçimit.

Kjo vepër infrastrukturore financohet nga qeveria shqiptare nëpërmjet programit Rilindja Rurale dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.