Tatimet, rastet e kontrolleve në biznese dhe procedura

TIRANË, 15 janar /ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi sot tatimpaguesit mbi kontrollin tatimor dhe rastet e zbatimit.

DPT nënvizuar se kontrollet e plota tatimore kryhen duke u bazuar në analizën e riskut. Përveç kontrolleve të plota, administrata tatimore bën edhe vizita fiskale tek subjektet apo kryen verifikime në vend.

Administratës Tatimore, gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, i lind e drejta që të kryejë kontrolle të ndryshme në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesit. Me anë të kontrollit tatimor synohet sigurimi i plotësimit të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, nëpërmjet zbulimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore dhe evazionit fiskal. Përpara se të kryhet realisht kontrolli, drejtoria rajonale e tatimeve është e detyruar t’i dërgojë paraprakisht subjektit njoftimin për kontroll.

Kontrolli tatimor bazohet te deklaratat tatimore, në dokumente, në librat, regjistrimet e mbajtura nga tatimpaguesi, si dhe në të dhënat e siguruara nga palët e treta, që kanë hyrë në marrëdhënie me subjektin e kontrollit apo nga çdo burim tjetër i mundshëm informacioni. Kontrolli konsiston në verifikimin në vend të kontabilitetit dhe të dokumentacionit të mbajtur nga tatimpaguesi (i çfarëdolloj forme juridike qoftë ai), për t’u siguruar mbi saktësinë e deklaratave të paraqitura.

Njoftimi i kontrollit tatimor

Njoftimi i kontrollit tatimor i dërguar tatimpaguesit përmban të dhëna të përgjithshme për tatimpaguesin, organin tatimor që kryen kontrollin, bazën ligjore, llojet e tatimit objekt kontrolli, periudhën/periudhat tatimore për të cilat kryhet kontrolli, datën, orën e fillimit dhe përfundimit të kontrollit dhe vendin e kontrollit tatimor. Tatimpaguesi është i detyruar të bashkëpunojnë për realizimin efikas të kontrollit.

Njoftimi i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit të plotë tatimor dhe në rastin e vizitave fiskale të paktën 10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.