Rritet ndërgjegjësimi, shtohen qytetarët që lëvizin me biçikleta në Tiranë

TIRANË, 15 janar/ATSH/ – Krijimi i korsive të biçikletave në Tiranë po jep efektet pozitive pasi po përdoren masivisht nga qytetarët.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur se çdo ditë e më shumë shumë qytetarë po zgjedhin biçikletën si mjet transporti. Sipas tij, ky është një sinjal i mirë për Tiranën, për ta kthyer në një qytet shembull çiklistësh.

“Çdo ditë e më shumë qytetarë, po zgjedhin biçikletën si mjet transporti. Jemi në rrugë të mbarë për t’u kthyer në një qytet shembull çiklistësh”, – thotë Veliaj.

Gjithashtu, në Tiranë ka filluar dhe promovimi i kulturës së përdorimit të biçikletës tek fëmijët e vegjël, që në të ardhmen do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në uljen e trafikut, por njëkohësisht edhe për një mjedis më të pastër dhe jetë të shëndetshme. Në zbatim të strategjisë së transportit të qëndrueshëm në kryeqytet, bashkia e Tiranës ka sistemuar infrastrukturën e rrugëve dhe trotuareve sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues duke i kushtuar një vëmendje edhe lëvizjes me biçikleta.

Ndërkaq, Tirana është qyteti i parë në Ballkan që sjellë sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet, të rinjtë janë të parët që kanë zgjedhur të lëvizin me to. /z.tosku/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.