“Mercedes Benz Cup 2019”, Shqipëria U-17 mposhtet 3-1 nga Turqia

TIRANË, 15 janar /ATSH/ – Kombëtarja shqiptare e futbollit U-17 e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka humbur sot ndeshjen e dytë të turneut Mercedes Benz Cup 2019 ndaj përfaqësueses U-17 të Turqisë, me vendin organizator që ka triumfuar 3-1 përballë kuqezinjve.

Shqipëria U-17 zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Roko, Pjeshka, Preka, Tajari, Abazaj, M.Dervishi, Papa, Mitaj, Pengu, K. Dervishi, Miftiu.

Në pjesën e parë është luajtur një futboll i hapur, duke u shënuar 3 gola, me Turqinë që kaloi në avantazh në minutën e 3-të me anë të Caglar.

Në minutën e 38-të kuqezinjtë ishin të pafat me Pengun që shënon një autogol. Reagimi vjen menjëherë dhe në fundin e pjesës së parë, në minutën e 40-të, kapiteni Mitaj shënon nga penalltia.

Me rezultatin 2-1 për Turqinë skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes.

Pjesa e dytë fillon me gol për Turqinë që dërgon shifrat në 3-1 me anë të Bayram, me rezultatin që nuk ndryshoj deri në fund përtej rasteve të të dy skuadrave.

Turneu i kuqezinjve mbyllet në datë 17 janar, në orën 15:00, me ndeshjen që do të luajnë përballë moshatarëve të tyre nga Moldavia.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.