FOKUS – Marrëveshja e Brexit i paraqitet deputetëve britanikë

LONDËR, 15 janar /ATSH-AFP/ – Nga periudha e tranzicionit planifikuar pas divorcit deri tek fatura që duhet të zgjidhë Londra. Ja pikat kryesore të ‘’traktatit të largimit’’ nga Bashkimi Europian të paraqitura për votim nga deputetët britanikë.

-Tranzicioni-

Më 30 mars 2019, Britania e Madhe nuk do të jetë më një shtet anëtar i BE-së por do të gëzojë ndërkohë disa të drejta në Union.

Teksti parashikon një periudhë tranzicioni deri më 31 dhjetor 2020, gjatë së cilës britanikët do të vijojnë të zbatojnë rregullat europiane dhe të kenë përfitime prej saj. Ata do të paguajnë kontributin e tyre financiar por nuk do të kenë poste në institucione as do të marrin pjesë në vendime.

-Problemi irlandez-

Traktati parashikon një ‘’rrjet të sigurisë’’ (“backstop” në anglisht) për të shmangur rikthimin e një kufiri fizik mes provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe Irlandës, për të ruajtur marrëveshjet e 1998 që i dhanë fund dekada trazirash të përgjakshme.

-Të drejtat e shtetësisë-

Shtetasit europianë të vendosur në Britaninë e Madhe dhe britanikët e vendosur në një shtet anëtar të Bashkimit Europian përpara përfundimit të periudhës së tranzicionit mund të vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre si më parë në shtetet e tyre ku janë rezidentë (ku kanë qëndruar të paktën pesë vite), premtoi kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier.

-Rregullorja financiare-

Britania e Madhe është zotuar për të respektuar angazhimet e marra në kuadër të buxhetit disa vjeçar (2014-2020), që mbulon gjithashtu periudhën e tranzicionit. Ajo do të përfitojë në këmbim fonde strukturore europiane dhe politikë të përbashkët në fushën e bujqësisë.

-Monitorim i marrëveshjes-

Traktati i tërheqjes parashikon krijimin e një komiteti të përbashkët për të zgjidhur divergjencat në interpretimin e marrëveshjes.

-Peshkimi –

Marrëveshja parashikon që peshkatarët europianë do të kenë të njëjtin akses në ujërat territoriale britanike dhe se britanikët do ti nënshtrohen kuotave të peshkimit europian gjatë periudhës së tranzicionit./ /v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.