Tarifat e reja për studentët, Shahini: 54 punonjës të ministrive në universitete

TIRANË, 14 janar/ATSH/ – Për t’i dhënë fund paqartësive të shumë studentëve në lidhje me përgjysmimin e tarifave të studimit, por edhe të bursave të akorduara për ta, dy përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave, duke filluar nga ora 08:30 kanë qenë të pranishëm në çdo fakultet, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të studentëve.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një deklaratë për mediet tha qeveria është e vendosur për të plotësuar kërkesat e studentëve, ndonëse kërkesa kryesore e përgjysmimit të tarifave të studimit tashmë është plotësuar. Për këtë 54 punonjës të ministrisë janë vendosur në dispozicion të studentëve.

“Ne u kemi thënë përfaqësuesve të ministrisë që të qëndrojnë dhe asistojnë pranë fakulteteve dhe të flasim konkretisht për përgjysmimin e tarifave për të gjithë studentët e ciklit të parë, të integruar, të ciklit profesional. Sivjet aplikohet tek të gjithë studentët pa marrë parasysh mesataret e notave. Kur flas për përjashtimin e tarifave të studentëve me notë mesatare nga 9 deri 10 në vit të parë dhe vitet e tjera. Flasim për ekselentët për trajtimin me bursë të studentëve ekselentë dhe të trajtimit e tarifave të programit të ciklit të dytë si studentët ekselentë, po ashtu edhe ata që vijnë nga kategoritë e veçanta që përfitojnë. Për çfarëdo paqartësi që të keni, tek sekretaritë pranë çdo fakulteti, kemi punonjësit e ministrisë se Arsimit, ata do t’iu japin përgjigje dhe do t’iu qartësojnë për çdo informacion”, – tha Shahini.

“Aplikimi i VKM-ve sidomos këto që kanë efekt financiar dhe që ju prekin ju direkt tek tarifat dhe bursat, realisht zbatohet nga universiteti. Qeveria ndan fondin por aplikimi, detajimi i listave të studentëve, kalkulimi i notës mesatare, identifikimi i studentëve që vijnë nga kategori të veçanta, kjo bëhet nga vetë universiteti. Kjo na shpjegon pak këtë kohën që po merr nga VKM-të dhjetorit deri në aplikimin e tyre. Ju siguroj që bursën do ta merrni të gjithë ju që keni plotësuar kriteret dhe do të trajtoheni me përgjysmim tarife apo përjashtim të plotë tarife të gjithë ju që i plotësoni kriteret”, – siguroi ajo.

Duke u dhënë përgjigje kërkesave të studentëve, ministrja e Arsimit tha se tanimë ka nisur procesi i transparencës së universiteteve sikurse ata vetë kërkuan, ndaj edhe një anëtar bordi administrimi në universitete do të zgjidhet prej tyre.

“Studentët kanë kërkuar më shumë informacion në mënyrën e qeverisjes së universitetit, si shpenzohen paratë publike. Ndërkohë që platforma do të mundësojë që i gjithë ky informacion të jetë në një vend dhe studenti të ketë shansin që të marrë informacion, ose në nivel universiteti ose në nivel fakulteti. Kjo është ajo që që është në punim e sipër. Po punohet në kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të bordeve të administrimit. Kjo është e rëndësishme sepse një anëtar i bordit do të përzgjidhet edhe nga vetë studentët. Kjo është e rëndësishme dhe dua ta nënvizoj se jemi në procesit të fillimit të kriterit dhe kjo do të mbyllet së shpejt, maksimalisht në mars”, – theksoi Shahini.

Ndërkaq, ajo lajmëroi se po punohet në krijimin e arkivit digjital për mënyrën si janë fituar gradat shkencore.

“Po punohet në krijimin e arkivit digjital, për mbledhjen e informacioneve si janë fituar gradat shkencore dhe ky është një hap i parë drejt asaj që kanë kërkuar studentët për transparencën akademike”, – deklaroi ajo. Ministrja tha se është themeluar po ashtu edhe grupi i punës që do të bëjë vlerësimin, gjendjen infrastrukturore të kampusit të Universitetit të Tiranës.

“Është themeluar grupi i punës që do të përzgjedhë literaturën e huaj, e cila është në interes të përkthehet dhe të përdoren në të ardhmen nga institucionet e arsimit të lartë”, theksoi Shahini.

Duke folur edhe për grupin e vogël të protestuesve, Shahini tha se “ne besojmë se e drejta për të protestuar e një grupi e pengon të drejtën e studentit në përgjithësi për të marrë pjesë në leksione dhe proces të rregullt mësimorë. Kështu që i ftojmë të gjithë studentët të marrin pjesë në proceset e nisura”.

Zina.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.