Korçë/ Qarkullim normal në akset nacionale

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Situata në Qarkun e Korçës, megjithë temperaturat e ulëta, paraqitet normale sa i takon qarkullimit të mjeteve në të gjitha akset nacionale.

Sipas një njoftimi të prefekturës së Korçës, në këtë qark temperatura minimale ka arritur -9 gradë celcius, ndërsa temperatura aktuale është -6 gradë C.

Pavarësisht këtyre temperaturave, në të gjitha akset rrugore nacionale qarkullimi vijon normalisht.

Sa i takon akseve në zonat rurale, Prefektura njofton se të gjitha akset rrugore rurale deri në qendrat e Njësive Administrative janë të hapura dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë.

“Po punohet për hapjen e rrugëve rurale të fshatrave Panarit, Grabockë, Trebickë, Katund të Njësisë Administrative Vithkuq, si dhe për hapjen e rrugëve të fshatrave në Kolonjë, konkretisht të fshatrave Pepellash, Gjonc, Vodicë”, thuhet në këtë njoftim.

Në bashkinë Maliq po punohet për hapjen e rrugëve në fshatrat Mesmal, Dushar, Zerec të Njësisë Administrative Gore, ndërsa ne bashkinë Pogradec po punohet për hapjen e rrugëve në fshatrat Shpellë, Jollë dhe Senisht të Njësisë Administrative Velcan.

Gjatë natës së djeshme ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të Njësisë Administrative Moglicë, ndërsa sot po punohet për riparimin e defekteve./m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.