Balla: Presim që qeveria greke të miratojë marrëveshjen për lejet e drejtimit

TIRANË, 13 janar/ATSH-Maela Marini/ “Ne presim që qeveria aktuale greke ta mbylli sa më shpejt çështjen e njohjes së dyanshme të lejeve të drejtimit, pasi kjo është e domosdoshme”.

Në një intervistë televizive nga Athina, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u ndal te disa prej fakteve që dëshmojnë vëmendjen e kësaj qeverie ndaj emigrantëve në tërësi, dhe në veçanti atyre që jetojnë në Greqi.

“Nuk mund të bëhet asnjë krahasim me atë që ka bërë kjo qeverisje në dy mandatet e saj me atë që ka qenë më përpara”, – tha Balla.

Balla veçoi marrëveshjen me Greqinë për lejet e drejtimit, ndërsa theksoi se “presim që qeveria aktuale greke ta miratojë sa më shpejt këtë marrëveshje, pasi ne e kemi miratuar”.

“Jemi në një komunikim të përditshëm me të gjithë kanalet e mundshme. Unë me kolegë të parlamentit grek, ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë po ashtu. Kontakte janë mbajtur edhe me shoqatat e shqiptarëve që jetojnë këtu dhe unë besoj që kjo të mbyllet përpara se të shkohet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare këtu në Greqi”,  – tha Balla.

Ai u ndal te revolucioni që ka njohur shërbimi konsullor me ofrimin e shërbimeve online. “Ju i mbani mend radhët në ambasadë vite më parë, shoqëruar edhe me një korrupsion të patolerueshëm. Kjo mori fund me dixhitalizimin e shërbimeve konsullore”, – tha ai.

Po ashtu, Balla theksoi se “vitin e kaluar u nënshkrua marrëveshja për heqjen e vulës apostile me Greqinë, prej së cilës shqiptarëve që jetojnë në Greqi, iu kursyen rreth 6.7 milionë euro në vit”.

Sa i takon çështjes së furnizimit të shkollave me tekste shqiptare, Balla nënvizoi angazhimin në mbështetje të gjuhës e kulturës.

“Kemi shumëfishuar mbështetjen sa i takon furnizimit të shkollave me libra shqip dhe do të vazhdojmë të kërkojmë pranë bashkive në çdo cep të Greqisë që të mundësojnë kurset e gjuhës shqipe. Në 2018, kërkesa për 3 mijë libra u plotësua dhe ato u dërguan të shpërndahen nga ambasada jonë në Athinë, në bazë të kërkesave të secilës prej shkollave”, – tha Balla./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.