“Si ngjyrat e Ylberit” nis vitin e ri artistik në Cirkun Kombëtar

62

TIRANË, 12 janar /ATSH/ – Cirku Kombëtar sot nis shfaqjet për këtë vit. Do të jetë shfaqja “Si ngjyrat e Ylberit”, e cila është e para që vjen në arenën e Cirkut Kombëtar.

Shfaqja “Si ngjyrat e Ylberit” vjen për publikun në datat 12-13 janar dhe mirëpret artdashësit çdo të shtunë dhe të diel në orën 11.00.

Edhe ky vit do të vijojë të jetë me premiera të tera nga artistët edhe pse është fillimi i vitit, por duke qenë 60 vjetori i Cirkut Kombëtar të tjera aktivitete do të zhvillohen.

Misioni i Cirkut Kombëtar është ruajtja dhe lartësimi i vlerave të veçanta artistike-kulturore të artit të cirkut në vendin tonë, duke u mbështetur në traditat më të mira kombëtare e botërore.

”Vizioni ynë për të ardhmen e Cirkut Kombëtar është shtrirja e aktivitetit të tij anembanë Shqipërisë, në të gjitha shtresat e grupmoshat, nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe ministritë e tjera për të zbavitur, argëtuar, çlodhur dhe edukuar shikuesit tanë”, shkruan Cirku Kombëtar.

Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.