Policia, monitorime në akset kryesore për tejkalimin e shpejtësisë

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Policia bën me dije, se Polici Rrugor i ‘padukshëm’  ndodhet gjithmonë në rrugë për drejtuesit e mjeteve që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit.

Prezenca e tij është me anë të mjeteve logjistike bashkëkohore për ata që shkelin rregullat duke u kthyer në burim aksidenti.

Në aksin rrugor Lushnjë – Rrogozhinë radari i Policisë ka konstatuar automjetin tip “Benz” me shpejtësi ekstreme 193 km/h, si dhe po në këtë aks rrugor radari i fshehtë konstaton automjetin “Golf 5” me shpejtësi ekstreme 177 km/h, si dhe automjetin “Polo” me shpejtësi 152 km/h.

Për shkelësit e rregullave, masa e gjobës varion në 5.000 – 15.000 lekë, plus 1-3 muaj pezullimi i lejes së drejtimit për ata drejtues mjetesh që kanë mbi tre vjet që kanë marrë patentën, si dhe 3-6 muaj për ata fillestarët me patentë deri në tre vjet.

Po më kryesorja është rreziku për jetën, pasi shpejtësi të tilla dhe në kushtet e lagështirës në rrugë rrezikojnë seriozisht jetën e drejtuesit të mjetit, të pasagjerëve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Policia e shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, “në radhë të parë për sigurinë e jetës suaj, të atyre që udhëtojnë me ju dhe të përdoruesve të tjetër të rrugës!”.

Policia Rrugore monitoron dhe kontrollon qarkullimin e automjeteve në rrugët urbane dhe interurbane. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.