Mos dekretimi i Cakajt, Hyseni: Antikushtetues, Balliu: Vendim patriotik

76

TIRANË, 12 Janar /ATSH-Gjergji Mima/ -Refuzimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta për të dekretuar emërimin e Gent Cakaj si Ministër i ri për Europën dhe Punët e Jashtme, ka ngjallur një debat mes palëve politike.

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht anëtar i Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Alket Hyseni në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare thekson se nuk Presidenti i Republikës ka shfrytëzuar vakumin që lë mungesa e Gjykatës Kushtetuese për të mos dekretuar Gent Cakajn si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Në rastin konkret nuk jam dakord fare me vendimin e Presidentit të Republikës, në cilësinë e tij personale si individ, i cili nuk ka pasur arsye, ka pasur pretekste”, shprehet Hyseni për ATSH.

“Kjo vendimmarrje antikushtetuese, me qëllime dhe sfonde të mbrapshta politike ndodh në një situatë, kur për shkak të reformës së madhe në sistemin e drejtësisë, mungon një mekanizëm, i cili do t’i kishte vënë pikat mbi i dhe vetë Presidenti ju garantoj që nuk do t’i merrte fare këto vendime. Sepse në koshiencën e tij politike, por edhe në bindjen e këshilltarëve të tij është e padiskutueshme që Presidenti nuk mund të ndërhynte në këto raste, por duke qenë se mungon ky filtër që është Gjykata Kushtetuese e ka shfrytëzuar këtë vakum për të arritur në vendimmarrje të tilla anti-kushtetuese”, thotë Hyseni për ATSH.

Ai nënvizon se “as nuk mund të konceptohet nga pikëpamja e Kushtetueshmërisë që në këtë sistem, Presidenti i Republikës të marrë kompetencat e Kryeministrit”.

“Unë mendoj që Presidentit të Republikës i mungon totalisht, dhe ky nuk është thjesht mendimi im, por ky është mendimi i Kushtetutës, ky është mendimi i atyre baballarëve që bënë Kushtetutën, që Presidenti i Republikës është i kufizuar në këto kompetenca vetëm në pikëpamjen honorifike të shqyrtimit të dekretit të Kryeministrit”, shprehet deputeti Hyseni në intervistë për ATSH.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme, Klevis Balliu e vlerëson si të drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën mos dekretimin nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta të kandidatit për Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Balliu shprehet se “ishte një lëvizje e drejtë, e mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe gjithashtu për shkak edhe të argumenteve që dha Presidenti i Republikës për deklarata të pavend dhe të palogjikshme të z. Cakaj si zv/ministër përsa i përket ndryshimit të kufijve të Kosovës”.

Balliu thekson se, vendimi i Presidentit Meta, “ishte gjithashtu një vendim patriotik, pasi ndryshimi dhe teza për ndryshimin e kufijve të Kosovës, nuk i shërben as ëndrrës së shqiptarëve për Bashkim Kombëtar dhe mbi të gjitha, nuk i shërben as sovranitetit të Kosovës”.

Balliu nënvizon se, “Shqipëria duhet të mbështesë projekte që janë në interesin kombëtar dhe interesi kombëtar i Shqipërisë është që Kosova të ruajë ato territore që ka dhe ne të mbështesim Kosovën që të eci me përparësi drejt liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Dhe Bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të bëhet në Bashkimin Europian”. /a.fortuzi/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.