Manastirliu në Komsi të Burrelit: Shëndetësia në gatishmëri për emergjencat

65

TIRANË, 12 janar /ATSH/ – ”Ekipet mjekësore dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët në këtë situatë moti të vështirë dhe vetëm gjatë këtyre ditëve janë kryer 2900 misione shpëtimi”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi sot qendrën shëndetësore Komsi, në Burrel.

”Kemi siguruar furnizimin me barnat e urgjencës në 92 qendrat dimërore për të gjithë sezonin e dimrit. Qendrat shëndetësore, spitalet por mbi të gjitha ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri për të shpëtuar jetë në këto ditë të motit të vështirë”, tha Manastirliu.

”Jam këtu në këtë zonë të thellë të Matit për të inkurajuar dhe mbështetur ekipet mjekësore për punën e jashtëzakonshme që po bëjmë, siç ishte rasti i nënës me fëmijën e saj të 8 që pikërisht nga Burreli u transportua me helikopter drejt Tiranës dhe sot gëzon shëndet të plotë bashkë më djalin e saj”, vijoj Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe në spitalin e Burrelit, ku pa nga afër situatën në urgjencë dhe maternitet.

”Edhe në këto ditë të motit të vështirë, vijon patronazhimi nga mjekët e materniteteve të Tiranës në maternitetin e Burrelit, duke ju dhënë mundësi grave dhe vajzave të kësaj zone të marrin shërbimin afër vendbanimit. Investimet e nisura në infrastrukturë do të vijojnë edhe në këtë spital. Jemi duke përfunduar projektin dhe këtë vit nis një investim i rëndësishëm për rehabilitimin e spitalit të Burrelit, që do të sigurojë një standard të ri shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.

Nga Burreli ku vizitoi qendrën shëndetësore Komsi dhe spitalin e Matit, ministrja garantoi qytetarët se, as furnizimi me medikamentet e nevojshme, as angazhimi i stafeve tona në qendra shëndetësore, spitale dhe urgjenca nuk do të mungojë në këto ditë të motit të keq. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.