Konviktet e Mjekësisë, gati për studentët në tetor

TIRANË, 12 janar /ATSH/ – Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj deklaroi se në muajin tetor konviktet e Universitetit të Mjekësisë në kryeqytet do të jenë gati për studentët.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në godinat e konviktit të Universitetit të Mjekësisë dhe më pas zhvilloi një bashkëbisedim me studentët që jetojnë aty.

Puna ka nisur fillimisht me sallat e leximit dhe bibliotekat, për t’i lënë radhën më pas, gjatë verës, kur studentët marrin pushimet vjetore, rikonstruksionit total të tyre.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si vlon puna edhe në fundjavë, fill mbas festave dhe motit të keq, për të transformuar qendrat tona studentore. Qendrat studentore sapo i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës, prandaj si çdo gjë që Bashkia e Tiranës prek me dorë, sigurisht që edhe ato do të shkëlqejnë. Ka filluar rikonstruksioni i konvikteve te Inxhinieria, që sot janë dita me natën”, tha Veliaj.

Kreu i bashkise tha se  tek rezidencat e Mjekësisë janë larguar zaptuesit e mjediseve që i kishin kthyer ato në kafe dhe pika bastesh, ndërkohë që po punohet për rehabilitimin e tyre, me qëllimin ofrimin e kushteve sa më të mira për studentët e ardhur nga rrethet në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje studentëve që të rikthehen në auditorët e mësimit për mbylljen në kohë të këtij viti akademik, çka do t’i jepte mundësinë Bashkisë së Tiranës që gjatë muajve të verës, kur ata janë me pushime, të ndërhyjë edhe për rikonstruksionin e dhomave. “Aktualisht mund të ndërhyjmë vetëm në sipërfaqet e jashtme dhe në sipërfaqet e përbashkëta. Nëse ka ende studentë që për interes dhe për ideal të partisë vazhdojnë dhe protestojnë, do të thotë se shkolla do të shtyhet në gusht-shtator, ndërsa në tetor ata do të duhet të kthehen. Pra, na lë zero hapësirë që të mund të rregullojmë edhe dhomat. Ndaj, u kërkoj studentëve, jo për politikë, por vetëm për interesin e tyre, shkoni në mësim që shkolla të mbarojë kur duhet, në korrik, që ne të kemi mundësi gjatë muajve gusht-shtator të punojmë nëpër dhoma, dhe kur të ktheheni në tetor, t’i gjeni gati”, theksoi Veliaj.

Interesimit të studentëve për “Kartën e Studentit”, kryebashkiaku iu përgjigj se me ligjin e ri kjo kompetencë u ka kaluar vetë universiteteve. /o.l/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.