Dhjetëra studentë ekselentë aplikojnë në platformën online punetëmbarë.al

444

TIRANË, 12 janar /ATSH/ – Disa orë pas hapjes se platformës online punetëmbarë.al për punësimin e studentëve ekselentë në administratë, janë bërë 64 aplikime nga studentët.

Shifrat u bënë publike nga drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, shpjegoi edhe mënyrën se si studentët ekselentë mund të aplikojnë për t’u punësuar në Administratën Publike.

“Çdo i sapodiplomuar në secilin prej cikleve të arsimit të lartë Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor, në vitin 2017 e në vijim, me mesatare 9.00 – 10.00 ose ekuivalent, do të mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore”.

“Për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara, studentët ekselentë të sapodiplomuar do të listohen mbi bazën e nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës dhe mesatares”.

“Kandidatët e kualifikuar kanë të drejtën e përzgjedhjes midis pozicioneve për grupet për të cilat janë kualifikuar dhe sipas renditjes së tyre në listat përkatëse”.

“E drejta e përzgjedhjes është si vijon:

Të parët përzgjedhin studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së.
Të dytët përzgjedhin studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri.
Të tretët përzgjedhin studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së osë BE-së”.
“Për kandidatët të cilët kanë mesatare të njëjtë brenda grupit ku janë përfshirë, e drejta për të përzgjedhur më parë, përcaktohet me short në prezencë të tyre.

Në secilën nga shpalljet e publikuara në platformë janë të përcaktuara afatet e aplikimit si dhe metodologjia e përzgjedhjes së pozicionit.

Çdo hap i procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes do të bëhet nëpërmjet platformës, duke e bërë këtë proces të hapur, transparent dhe lehtësisht të monitorueshëm në punetëmbare.al”. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.