Balla: Presidenti të ruajë qetësinë, nuk ka asnjë mundësi të pengojë Reformën në Drejtësi

43

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Kreu i grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla i kërkoi sot Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta të ruajë qetësinë e mos të bëhet qesharak, ndërsa vijon debati për mosdekretimin nga ana e Metës e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

”Zoti President, ne s’ju pengojmë dot të jeni Iliri qesharak që kemi njohur më shumë se sa njëherë kur liderja e LSI-së ia fut kokën në çizmen e saj! Por këto bumjet tuaja që po e bëjnë edhe Bujar Nishanin të duket si Xhefersoni, nuk impresionojnë dot askënd. Ne s’jemi as PD, as LSI dhe s’kemi ndërmend të humbasim kohë me konflikte të kota me ju. Sepse ju s’keni asnjë shans dhe s’do keni asnjë mundësi të pengoni as punën tonë dhe as Reformën në Drejtësi, që e di Shqiperia dhe bota se sa shumë e dëshironi të realizohet. Por meqë ju kemi dhënë votën si President, ju ftojmë të ruani qetësinë sa te mundeni sepse duke u bërë ju qesharak, sigurisht edhe ne nuk ndjehemi mirë”, tha kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Më herët në një reagim për të njëjtën çështje, zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi tha se nuk ka komision garancish statutore që e ndalon presidentin e Republikës të ushtrojë kompetencat e tij.

“Nuk ka komision garancish statutore që ndalon Presidentin e Republikës të ushtrojë kompetencat e tij të qarta kushtetuese për emërim e shkarkim ministrash. Duhet të jetë e qartë për pengmarrësin e Reformës në Drejtesi: Aksioni për rivendosjen e plotë të rendit kushtetues e ligjshmërisë nuk ndalet!”, tha Blushi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.