Tiranë, transformohet blloku i banimit “Frederik Shiroka”

TIRANË, 11 janar/ATSH/-Nga rrugët me çakull e gropa pa fund, ku mungonte thuajse çdo element i zhvillimit urban, blloku i banimit “Frederik Shiroka” në Njësinë 7 po merr një pamje krejt të re.

Projekti i rikualifikimit të plotë urban i kësaj zone u siguron banorëve të lagjes rrugë më mira, trotuare, hapësira rekreative, si dhe një kënd lojërash për fëmijë. Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se këtë vit fokusi do të jetë tek investimet në çdo lagje e periferi të kryeqytetit.

Veliaj vuri theksin tek mbështetja buxhetore e këtij viti për investime të tilla dhe falënderoi banorët të cilët kanë qenë bashkëpunues për të liruar hapësirat e zaptuara.

Ai theksoi rëndësinë e investimeve në njësinë 7, e cila është jo vetëm një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, por edhe një nga njësitë që ka përfituar më shumë investime gjatë këtyre viteve të fundit. “Duke ruajtur këtë balancë do të vazhdojmë bllok më bllok; besoj që Njësia 7 ka parë në këto 4 vite një rekord investimesh, që do të vazhdojnë edhe në mandatin tjetër. Sigurisht, me të pestin, siç e kemi nisur, deri në fund të qershorit, për t’u siguruar me banorët që siç kemi punuar ditën e parë, kemi punuar deri ditën e fundit”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Veliaj theksoi se këto investime të rëndësishme, të cilat mundësohen falë punës së përditshme të bashkisë përgjatë gjithë mandatit, kanë rritur ndjeshëm vlerën e pronës për çdo qytetar të kryeqytetit.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi falenderoi bashkinë për vëmendjen që i ka kushtuar kësaj njësie, ndërsa tha se Këshilli do të vazhdojë të mbështesë çdo investim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.