Studentët me mesatare 10, punësim në Doganë, Tatime dhe ALUIZNI

TIRANË, 11 janar/ATSH/-Në institucionet më të rëndësishme të vendit si Dogana, Hipoteka, Tatimet apo ALUIZNI do të punësohet studentët e shkëlqyer të universiteteve.

Kështu, deklaroi sot kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë prezantimit të platformës për punësimin e studentëve me 9 dhe 10, pa konkurs në shërbimin civil, ku u bënë publikë 803 vende të lira pune për ta. Ai tha se vendet vakante në institucionet më të rëndësishme, do t’i marrin studentët me rezultate të arrira.

“Platforma do të jetë aktive menjëherë. Do të hyjë në fuqi për ata që kanë mbaruar në vitin 2017 dhe në vijim, përfshin këtu 800 vende tani të hapura. Po vazhdojmë të procesojmë se unë dua që në hipotekat e Shqipërisë, në ALUIZNI-n e Shqipërisë, Tatime e Dogana dhe në të gjitha agjencitë e mëdha të shërbimit, çdo vend i lirë të jetë në dispozicion të atyre që janë më të mirët”, theksoi ndër të tjera Rama duke thënë se platforma e punësimit “Punë të Mbarë” është rezultat i punës së kryeministrit si “protestues” bashkë me studentët.

Duke folur për arsimin e fëmijëve, kryeministri theksoi se statistikisht, prindërit shqiptarë sakrifikojnë dhe shpenzojnë shumë për të ardhmen e fëmijëve.

“Shqipëria e ka 3,1% shpenzimet familjare për arsimin, më shumë se vendet në rajon. Shqiptaret statistikisht janë populli që shpenzon më shumë për të arsimuar fëmijët jashtë, për frymë. Kemi sasinë më të madhe për frymë të fëmijëve të arsimuar jashtë. Që do të thotë që janë shumë para që shpenzohen”, -shpjegoi ai, duke shtuar se kjo shifër nuk tregon se arsimi në Shqipëri kushton më shumë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.