Riparohet defekti, rikthehet energjia elektrike në Urën Vajgurore

TIRANË, 11 janar /ATSH/ – Në Urën Vajgurore në qarkun e Beratit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike riparoi një defekt të shkaktuar nga moti i keq. Ishte vetë prefekti i qarkut Harilla Dafa, që raportoi mëngjesin e së premtes se mungonte energjia elektrike në këtë zonë.

Menjëherë pas njoftimit, punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u vunë në punë për të riparuar defektin. Rreth ores 13 e 30 të së premtes energjie elektrike u rikthye.

Gjatë një bisede telefonike, prefekti i qarkut Berat, Harilla Dafa tha për ATSH-në se situata e përgjithshme në këtë qark është normale.

Prefekti tha se qarkullimi i automjeteve nuk është bllokuar në asnjë aks kombëtar, por vetëm në disa fshatra të thella. Nga ana tjetër firmat kontraktore kanë qenë në gatishmëri duke hedhur kripë në rrugë, dhe duke larguar dëborën nga akset kombëtare.

Harilla tha se nuk është zhvilluar mësimi në 9 fshatra, pasi mësuesit nuk kanë mundur të shkojnë në shkolla për shkak të dëborës.

Prefekti bëi me dije se në këtë qark, nuk ka munguar furnizimi me ujë të pijshëm. /o.l/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.