Qendra Kombëtare e Urgjencës/ 8 misione me helikopter dhe 2891 me ambulanca

TIRANË, 11 janar/ATSH/- Në shërbimin e Urgjencës Kombëtare vetëm nga data 1 Janar deri sot janë bërë 10.753 thirrje për ndihmë mjekësore, 2.891 misione me ambulanca dhe 8 misione me helikopter.

Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore bën të ditur se “sot ka qenë një nga ditët më të ngarkuara, ku u zhvilluan pesë misione me helikopter dhe qindra të tjerë me autoambulanca në të gjithë vendin”.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se “impenjimi i personelit mjekësor dhe ndihmës ka qenë në maksimum. Të gjitha shërbimet e urgjencës në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë kryer me sukses këto misione nga ana e policisë, forcave speciale, emergjencave civile dhe Prefekturave”.

Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore sot ishte në Burrel, Sarandë, Tushan, Bicaj, Kukës, Peshkopi dhe Malësi të Madhe.

Sipas MSH-së, të gjithë këta pacientë janë jashtë rrezikut për jetën.

Ministria e Shëndetësisë shpreh falënderim për të gjithë ata që në këto ditë të ftohta i janë përkushtuar ndihmës ndaj qytetarëve./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.