Punësimi i studentëve ekselentë, Rama: Kapërcyem ligjin e hartuar me KE-në

TIRANË, 11 janar/ATSH-Maela Marini/ “Programi për punësimin në administratë të studentëve ekselentë nuk mund të bëhej dot pa protestën e studentëve”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Rama sqaroi se “ligji i shërbimit civil dhe rekrutimi në shërbimin civil bazuar në këtë ligj, janë shprehje e një pune të bërë për një kohë të gjatë me Komisionin Europian dhe dhe monitorohen nga KE”.

“Protesta dhe gjithë kjo shfaqje shembullore e disa shqetësimeve të thella dhe e një nevoje të madhe për të hapur dyert e administratës duke kapërcyer disa pengesa objektive që ka ligji, na dha mundësi që dhe me partnerët europianë të ulemi dhe t’u themi se e kemi të nevojshme ta kapërcejmë ligjin”, tha Rama.

Ndaj, shtoi ai, “me një vendim të posaçëm qeverie u hapim rrugë më të mirëve që të kontribuojnë në administratën tonë shtetërore”.

“Më parë, ti mund të kishe mbaruar me të gjitha dhjeta, konkurroje dhe të thoshin se nuk kë eksperiencë. Pyetja që ti bëje ishte se ku mund ta fitosh eksperiencën? Ne kemi bërë një hap të parë programesh intershipi etj, por kjo krijon një kohë boshllëku ku shumëkush dekurajohet”, tha Rama.

Me këtë program, Kryeministri theksoi se “ne kapërcejmë ligjin”. “Pjesa tjetër është që falë protestës dhe kësaj shtyse, ne kapërcejmë edhe gjithë traditën dhe inercinë e tepsisë së famshme. Të gjithëve sot, qoftë partnerëve, partisë apo kujtdo që është mësuar me të vjetrën, ju them se prioritet kanë më të mirët dhe ky prioritet garantohet në mënyrë transparente”, shtoi Rama.

Duke folur lidhur me funksionimin e kësaj platforme, Rama tha se “nëse kemi 5 vende pune në Ministrinë e Financave për studentë që kanë mbaruar këtë degë, në këto vende pune kanë të drejtë të zgjedhin fillimisht ata që kanë rezultate më të larta”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.