Politika arsimore të orientuara nga tregu i punës

TIRANË, 11 janar/ATSH-Maela Marini/ “Kur qeveris e majta ka gjithmonë më mirë, kur qeveris e djathta ka akoma më keq”, tha sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për pritshmëritë që kanë shqiptarët nga kjo qeverisje.

Duke u ndalur te situata në arsim, Rama kujtoi se “kjo qeveri trashëgoi një situatë ku u shqyen dyert e universiteteve dhe u trefishua numri i studentëve ende pa u trefishuar mundësitë”.

“Si mundet në të njëjtën infrastrukturë të fusësh trefishin e njerëzve dhe të mendosh të kesh funksionimin normal të asaj infrastrukture?”, pyet Kryeministri.

Ndaj sipas tij, duhet të rritet mesatarja për hyrjen në universitet dhe duhet t’u krijohen  mundësi të gjithë atyre që nuk futen dot për shkak të mesatares që të bëjnë kolegje e programe profesionale pas gjimnazit.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e lidhjes të politikave qeverisëse në arsim me tregun e punës. Ai nënvizoi situatën absurde të krijuar në Universitetin e Elbasanit ku vetëm në vitin e parë janë regjistruar 100 studentë në gazetari. “Ku do të shkojnë këta studentë dhe si mund t’i përgjigjet tregu i punës atyre”, tha Rama, duke shtuar se e njëjta situatë është kudo.

Rama solli si shembull Zvicrën, e cila sipas tij ka një ministri të përbashkët për Ekonominë dhe Arsimin.

“Gjithë planifikimi i arsimit, kuotat, programet, degët profesionale, akademike etj bëhen si pasqyrë e gjithë planeve të biznesit të Zvicrës. Kompanitë kanë planet e tyre të investimeve në bazë të së cilave kërkojnë kualifikimin e punonjësve. Ministria merr planet dhe i përkthen ato në politikë arsimore dhe politika arsimore prodhon ekzaktësisht njerëzit që shkojnë atje ku duhen. Ndërsa degë të tjera si matematika të cilat nuk i ka tregu i punës mbështeten nga shteti”, tha Rama, duke shtuar se ky është një sistem që do të ndërtohet hap pas hapi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.