Ngricat në rrugë, Emergjencat Civile në Lezhë në gatishmëri edhe gjatë natës

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e borës zbardhën mbrëmjen e djeshme edhe qytetin e Lezhës, ndërsa temperaturat e ulëta të shoqëruar me erë krijuan ngrica në rrugë.

Problematika vuri në lëvizje Bashkinë e Lezhës e cila angazhoi menjëherë Emergjencat Civile për të garantuar lëvizjen e qytetarëve.

Për shkak të pjerrësisë dhe prezencës së lagështisë, problematika më e madhe ishte në rrugën e spitalit. Lëvizja e vazhdueshme e autoambulancave u var tërësisht nga qarkullimi përgjatë rrugës së Shelbuemit, segment që lidh bulevardin Gjergj Fishta me Spitalin Rajonal.

Rreth orës 20:00 Emergjencat Civile në Bashkinë e Lezhës angazhuan Drejtorinë e Shërbimeve, Zjarrfikësit dhe Policinë Bashkiake për të ndërhyrë në këtë aks rrugor, duke e pastruar nga bora dhe hedhur kripë.

Kreu i Emergjencave, Tonin Uldedaj, u shpreh se do të vijohet me monitorimin e vazhdueshëm deri në tejkalimin e situatës së krijuar.

“Ne si Emergjenca Civile jemi prezente së bashku me Drejtorinë e Shërbimeve dhe Policinë Bashkiake në rrugën kryesore, rruga e spitalit, e cila është arteria më e rëndësishme për lëvizjen e mjeteve dhe që duhet të qëndrojë e hapur 24 orë. Kemi marrë të gjitha masat duke shpërndarë kripë që pengon ngricat në rrugë, pasi parashikohet ulje e temperaturave dhe masat paraprake janë të domosdoshme. Prej ditësh jemi të angazhuar në përballimin e situatës dhe pavarësisht se nuk kemi patur probleme, vazhdojmë të qëndrojmë të angazhuar 24 orë në mënyrë që t’i përgjigjemi çdo emergjence dhe urgjence të mundshme”, tha ai.

Rruga e Spitalit në Lezhë është përballur në vitet e shkuara me probleme në qarkullimin e mjeteve pikërisht si pasojë e ngricave, ndaj edhe ka ardhur kjo ndërhyrje e parakohshme për t’i paraprirë ngricave që do të sjellë nata./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.