Moti i keq/ Shërbimi Social në gatishmëri, ndihma ushqimore dhe strehim për njerëzit në nevojë

73


TIRANË, 11 janar/ATSH/-Strukturat e shëndetësisë kanë marrë masat për përballimin e emergjencave që lidhen me motin e ftohtë, veçanërisht në zonat e thella të izoluara nga dëbora.

Ekipet e përforcuara të Urgjencës Kombëtare janë në gatishmëri të përforcuar, me personel shtesë, me shërbimin e urgjencës në territor dhe njësinë e Helikopterëve 24/7. Spitalet janë në gatishmëri për çdo situatë kritike që lidhet me motin e ftohtë që ka përfshirë vendin tonë. Të gjitha qendrat shëndetësore që rrezikojnë bllokimin nga moti i keq, janë pajisur me barna dhe materiale mjekësore shtesë për të përballuar të gjithë periudhën e dimrit.

Drejtoresha e Politikave Sociale pranë ministrisë së Shëndetësisë, Merita Xhafaj vlerësoi punën e mjekëve veçanërisht në zonat e izoluara nga dëbora.

“Në këto ditë të ftohta ne kemi marrë të gjitha masat, për të mos munguar në Qendrat Spitalore sidomos në zonat të cilat janë zona në risk dhe që kanë vështirësi në komunikim në disa drejtime. Së pari, të mos mungojë sistemi i ngrohjes, të mos mungojnë medikamentet dhe po ashtu të mos mungojnë mjekët, të cilët po ashtu të cilët në raste të caktuara është përballuar edhe me shërbimin e urgjencës, nëpërmjet autoambulancave të vëna në dispozicion por edhe vetë mjekët që kanë qenë në dispozicion të qytetarëve.
Kemi pasur dy raste. Njëra ka qenë në Peshkopi dhe një rast tjetër ka qenë në Malësinë e Madhe. Në njërin rast mamia ka asistuar në lindjen e fëmijës në shtëpi dhe më pas është transportuar në spital, në maternitet. Në të njëjtën kohë, në Malësinë e Madhe është bërë e mundur që gruaja të transferohet dhe të bëjë lindje normalisht në maternitet në kushte spitalore. Dua të falenderoj të gjithë mjekët që kanë qëndruar në gatishmëri, për punën e palodhur të tyre veçanërisht në zonat e bllokuara nga dëbora”,  -shpjegoi Xhafaj për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Po kështu, Xhafaj tha ndër të tjera masat janë marrë edhe në drejtim të strehimit. “Të gjitha masat janë  marrë në zyrat e Shërbimit Social Shtetëror që janë në këto bashki dhe që jo vetëm që janë strehuar ata që kanë qenë të pastrehë me ndihma ushqimore, gjithashtu shërbimet e nevojshme.

92 qendra shëndetësore nga veriu në jug të vendit janë të pajisura me medikamentet e nevojshme për sezonin e dimrit. /zina tosku/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.