Meta: Komision hetimor parlamentar për dhënien e certifikatës së sigurisë për Cakajn

TIRANË, 11 Janar /ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka kërkuar sot Kuvendit ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), nisur nga rasti i pajisjes me certifikatë sigurie të zv.ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, siç vëren presidenti në vetëm 24 orë.

Me anë të një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarëve të grupeve Parlamentare Meta thekson se, verifikimi i vetëm për 24 orë i situatës së sigurisë për Gent Cakën nga DSIK, duke i dhënë atij një certifikatë sigurie të nivelit më të lartë, krijon dyshime të rënda për veprimtarinë aspak objektive dhe në kundërshtim me ligjin për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, por edhe ligje e akte të tjera nënligjore.

Meta thekson se Cakaj ka aplikuar për certifikatë sigurie në datën 3 janar dhe 24 orë më pas, është pajisur me dokumentin.

Sipas Metës, pajisja me nxitim me certifikatë sigurie është bërë në kundërshtim me ligjin.
Në letër theksohet se edhe pse prej 7 muajsh ishte në detyrën e zv/ministrit Cakaj nuk ishte pajisur me çertifikatën e Sigurisë, por DISK e ka pajisur atë me këtë certifikatë duke kryer një proces verifikim një ditor. /j.p/

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.