Kukës/ Punime intensive për hapjen e rrugëve nga dëbora

TIRANË, 11 janar/ATSH/- Bashka e Kukësit nisi sot punën për hapjen e rrugëve në Njësitë Administrative Malzi, Shishtavec, Topojan, Grykëcaje, Tërthore, Bicaj e Shtiqen.

Sipas bashkisë deri në orët e mbrëmjes u hapën këto akse: Në segmentin Kukës-Shishtavec, deri në orën 17:00 është hapur rruga deri tek Ura e Shtrezës, puna vazhdon edhe në këto orë të mbrëmjes.

Në Njësinë Administrative Topojan është hapur rruga deri në Breki, në Njësinë Administrative Grykëçaje është punuar deri në fshatin Çaje, në Njësinë Administrative Bicaj është hapur rruga e fshatit Bushat dhe është punuar drejt fshatit Mustafë.

Në Njësinë Administrative Malzi sapo përfundoi pastrimi i borës në rrugën që lidh fshatrat Mgulle e Petkaj me rrugën kryesore. Po vazhdon puna gjate natës me dy fadroma për hapjen e rrugës Shtane-Dugagjin-Shikaj dhe rrugës së fshatit Çam. Nesër do vazhdojmë me pastrimin e rrugës që lidh fshatrat Gdheshte e Piste me rrugën kryesore.

Krahas mjeteve të kompanisë sipërmarrëse janë angazhuar edhe mjetet e bashkisë dhe të kompanive private që operojnë në njësinë administrative Malzi.

Bashkia e Kukësit bën të ditur se do të punohet gjatë gjithë ditës së nesërme për të përfunduar hapjen e rrugëve në njësitë e mësipërme, për të vazhduar me njësitë administrative Zapod, Kalis e Bushtrice.

Trashësia e borës në segmente të caktuara dhe fshatra i kalon 1 metër. Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, bashkia Kukës garanton angazhimin maksimal për hapjen e rrugëve.

Bashkia falënderon edhe kompanitë që u angazhuan në këtë proces në njësitë administrative Kolsh e Malzi./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.