Gjiknuri reagoi në mënyrë imediate me partnerët amerikanë ndaj falsifikimit të DH Albania

TIRANË, 11 janar/ATSH/- “Reagimi i Damian Gjiknurit dhe i yni, ka qenë ai që tregon qartësisht se vërtet pati një procedurë të falsifikuar nga një kompani, DH Albania, por qeveria mori menjëherë iniciativën që t’i shkojë deri në fund”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, kryeministri Rama tha se “u komunikua me partnerët amerikanë duke qenë se u bë fjalë për një falsifikim që e lidhte kompaninë me gjoja një kompani amerikane. Prokuroria, të gjithë dhe shyqyr që heton edhe FBI në mënyrë që të bëhet transparencë dhe kush është përgjegjës të shkojë aty ku e meriton”.

Gjiknuri, vijoi Rama, ka reaguar në mënyrë imediate me partnerët amerikanë, pastaj me institucionet shqiptare.

“Qeveritë, organizatat, komunitetet, familjet nuk mbajnë përgjegjësi për gjëra që ndodhin për një arsye apo tjetër, por mbajnë përgjegjësi për mënyrën si reagojnë ndaj gjërave që ndodhin”, tha Rama./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.