Fakultetet sot, një pjesë e studentëve vijojnë mësimin

TIRANË, 11 janar /ATSH/ – Në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, situata është përshkallëzuar mëngjesin e së premtes. Disa studentë kanë tentuar të shembin portën hyrëse të Fakultetit. Të tjerë të cilët ndodheshin brenda godinës, bllokuan hyrjet e universitetit duke përplasur karriget nëpër korridore. Aktualisht në auditorë mund të hyhet vetëm nëpërmjet dritareve pasi të gjitha dyert janë bllokuar.

Ndërsa në fakultetin e Filologjisë studentët zhvilluan një bashkëbisedim. Një studente tha se të gjithë janë të lirë të bëjnë çfarë të duan, të ndjekin mësimin ose të protestojnë.

“Në këtë bisede ka larmishmëri mendimesh, pranohen të gjitha. Nuk mund të pengojmë askënd që të vazhdojë mësimin dhe nuk mund të pengojmë askënd që të bëjë bojkot. Ka studentë që duan të bëjnë mësim, ka që nuk duan”, tha ajo.

Studentët janë grumbulluar edhe në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku kanë bashkëbiseduar.

Ndërkohë një studente aplikoi pranë sekretarisë për të përfituar nga ulja e tarifave universitare. “Jam këtu për të bërë një kërkesë për të marrë një vërtetim që jam studente. Unë jam studente me mesatare 9 deri në 10, dhe përfitova tarifën falas si dhe bursën”, tha ajo.

 

Në Fakultetin e Ekonomisë nuk është zhvilluar mësim. Në hollin e universitetit gjendeshin dhjetëra studentë të cilët bashkëbisedonin, e të tjerë merrnin informacion pranë sekretarive.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë është zhvilluar mësim prej të hënës. Të gjithë auditorët ishin plot me studentë. Këtë na e konfirmuan edhe disa studente. “Sot kryem mësim të rregullt, e kemi zhvilluar normalisht. Mësim është bërë gjate gjithë javës, nga e hëna deri sot. Të gjitha klasat janë plot me studentë”, thanë dy prej tyre.

Te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, studentët ishin grumbulluar në hollin e godinës.  “Ka një urdhër nga lart, kështu na është thënë që edhe një student të jetë në klasë do bëhet mësim. Gjatë këtyre ditëve është bërë mësim. Në pak klasa dhe në numër të vogël studentësh, por është bërë mësim”, tha njëri prej tyre.

/o.l/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.