DSIK: Pajisja e Gent Cakaj me certifikatë sigurie, në përputhje me ligjin

72

TIRANE, 11 janar/ATSH/- “Pajisja me Certifikatën e Sigurimit të Personelit për z. Gent CAKAJ është kryer në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi, duke respektuar detyrimet e parashikuara në Ligjin nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, i ndryshuar dhe Vendimin Nr. 188, datë 4.3.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit””.

Në një njoftim për mediet, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar në fushën e informacionit te klasifikuar “sekret shtetëror”, të NATO-s, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, sqaron se “verifikimi i sigurisë për Gent CAKAJ është kryer i plotë, me përparësi dhe në përputhje me detyrimet ligjore”.

Më tej, sqarohet se “DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i  Republikës Kosovës, (pasi z. Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare).

“Referuar përgjigjeve të Autoriteteve Verifikuese ka rezultuar se për z. Gent CAKAJ nuk ekziston rrezik i papranueshëm sigurie për pajisjen e tij me CSP, sipas kërkesës së paraqitur nga MEPJ.  Nga procesi i verifikimit të sigurisë të z. Gent CAKAJ nuk ka rezultuar asnjë rrethanë ligjore, sipas së cilës DSIK ka qenë e detyruar për të kërkuar informacion shtesë, apo për të shtrirë verifikimet e sigurisë në vende të tjera si Hungaria e Belgjika, të cilat gjithsesi janë vende anëtare të NATO dhe BE”, thuhet në njoftim.

DSIK thekson se procedurat e verifikimit të sigurisë janë ndjekur me angazhim maksimal brenda afateve kohore të parashikuara në nenin 18 të VKM së sipërcituar. “Kujtojmë, se në përmbajtjen e këtij neni, ndër të tjera është parashikuar se: “Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit dhe lëshimit të CSP-së nga DSIK-ja është deri në 120 ditë kalendarike. Brenda kësaj periudhe përfshihen edhe afatet e verifikimit të sigurisë nga ana e autoriteteve verifikuese…..” Në vijim thuhet se: “….Autoriteti verifikues dhe çdo strukturë tjetër shtetërore, që merr kërkesën e paraqitur nga DSIK për të kryer verifikimin e sigurisë, ka detyrimin të kryejë procedurat dhe të kthejë përgjigje duke dhënë informacionin e kërkuar me shkrim, jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës”.

DSIK, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar, vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Autoritetet Verifikuese brenda vendit dhe strukturën homologe të Republikës së Kosovës, që kanë kryer procedurat e verifikimit të sigurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Lidhur me “Certifikatën e sigurimit të personelit”, DSIK sqaron se “Certifikata e sigurimit të personelit” është dokumenti zyrtar i DSIK ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar. Posedimi i këtij dokumenti përben një nga kriteret  që duhet të plotësojë një individ, përpara se të njihet me informacionin e klasifikuar, (me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar” që nuk kërkohet CSP).  Pra, aplikimi dhe pajisja me CSP është e detyrueshme vetëm për një individ që do të njihet me informacion të klasifikuar bazuar në parimin “nevojë për njohje”.

Nga ana tjetër, shton DSIK,  sigurimi i personelit, si një nga disiplinat kryesore të sigurimit të informacionit të klasifikuar, është një proces i vazhdueshëm dhe nuk përfundon me lëshimin e CSP. Në çdo rast, kur dalin të dhëna të reja që rezultojnë me rrezik të papranueshëm sigurie, DSIK rishqyrton vendimin e marrë.

DSIK administron dokumentacion të plotë lidhur me procedurat e ndjekura dhe informacionin e përftuar në funksion të verifikimit të sigurisë dhe të pajisjes me CSP të z. Gent CAKAJ. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.