Dialogu me Serbinë, Rama: Mbështesim një marrëveshje përfundimtare që çon në njohjen e Kosovës

76

TIRANË, 11 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria mbështet domosdoshmërisht një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që të njihet dhe të garantohet nga SHBA dhe Bashkimi Europian”.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” kryeministri Rama theksoi se “qëndrimi im është ky marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që të çojë në njohjen e Kosovës dhe në ndarjen përfundimtare nga historia me Serbinë e njohur dhe garantuar nga SHBA dhe BE është marrëveshja që duam”.

Ne, vijoi Rama, nuk jemi për t’i dhënë mend as SHBA, as Gjermanisë, as për të futur hundët dhe për t’i treguar Kosovës se çfarë duhet të bëjë.

“Jemi këtu për të mbështetur marrëveshjen dhe unë jam këtu për të mbështetur fuqimisht një marrëveshje që mbështetet nga ata që i dhënë jetë Kosovës së lirë dhe demokratike”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se “Ditmir Bushati ka mbajtur qëndrim zyrtar, politika e Republikës së Shqipërisë nuk është politikë që e bën Ditmiri në punë të vet, e bën tjetri në punë të vet, e bëj unë në punën time, po Ilir Meta e bën në punë të vet këtë e di, por ne të tjerët jo”.

“Politika jonë është ajo që ka shprehur Ditmir Bushati nga fillimi në fund. Çdo deklaratë e bërë është deklaratë zyrtare e mbështetur plotësisht nga unë”, shtoi Rama.

Ai bëri të ditur se “Presidenti i SHBA-së i ka çuar letër publike për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe i fton në mënyrë instituese që të gjejnë marrëveshje”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.