Clarke: Futbolli shqiptar, rritje të madhe në dekadën e fundit

78

TIRANË, 11 Janar /ATSH/ -“Futbolli shqiptar ka pasur një rritje të madhe në dekadën e fundit”, u shpreh Presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Clarke në një vizitë që zhvilloi në ambientet e FSHF-së ku u prit nga Presidenti i FSHF, Armand Duka.

Clarke u shpreh i impresionuar nga rritja që ka pësuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit, dhe shprehu mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson për Shqipërinë.

“Jam i impresionuar nga rritja që ka pësuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit. Një punë e mirë dhe arritje të mëdha janë shënuar nga një vend i vogël si Shqipëria. Ne do të lobojmë dhe nxisim fort UEFA-n dhe FIFA-n për të kontribuar më shumë për vendet në zhvillim. Së bashku do të bashkëpunojmë ngushtësisht për të arritur suksese më të mëdha në të ardhmen. Jemi këtu për të dhënë mbështetjen e Federatës angleze dhe për t’iu suportuar në çdo hap tuajin, për të dhënë eksperiencën tonë në procesin e vazhdueshëm të rritjes”, theksoi Clarke .

Presidenti Duka njohu homologun e tij anglez me zhvillimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar dekadën e fundit, arritjet dhe objektivat për të ardhmen.

“Futbolli është sporti numër një në Shqipëri, dhe kjo na gëzon por në të njëjtën kohë na shton përgjegjësitë. Shqipëria përpara 5 vitesh nuk kishte një stadium për të zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare, sot kemi dy të tillë, në ndërtim e sipër është Arena Kombëtare, një projekt tjetër po nisim në Kukës. Kemi investuar në infrastrukturë kudo në Shqipëri, duke mos harruar asnjë moment edhe shtresat e margjinalizuara”, u shpreh Duka.

Vizita vijoi në Shtëpinë e Futbollit dhe më pas në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku Presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, shprehu mbështetjen e tij për kandidimin e Presidentit Duka në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.