Buxheti për Arsimin, rritje me 30 milionë lekë në 5 vite

TIRANË, 11 janar/ATSH-Maela Marini/ “Ne kemi rritur buxhetin për arsimin nga 51 milionë në vitin 2013 në mbi 80 milionë sot”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke kujtuar se “një rritje e mëtejshme e buxhetit të shtetit për arsimin do të thotë rritje taksash.

Gjatë prezantimit të platformës për punësimin në administratë të studentëve ekselentë, Rama theksoi faktin se aktualisht buxheti i shtetit për arsimin është rritur.

“Në vitin 2013 për arsimin e lartë kishim një buxhet prej 51 milionë lekësh, ndërsa sot, arsimi merr nga buxheti i shtetit mbi 80 milionë lekë. Nuk është shumë, por kur bën krahasime me të tjerët duhet të kini parasysh se në Gjermani në 100 lekë merren 48 si kontribut për taksat, ndërsa Shqipëria e ka vetëm 28 lekë kontributin e taksave në 100 lekë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria takson punën, pra të ardhurat personale, më ulët nga të gjitha vendet e tjera. “Në Shqipëri e taksojmë punën me 5.5%, në Gjermani me 48.2%, ndërsa vendet e rajonit Serbia, Mali i Zi, Kosova etj e kanë 9-10%”, tha Rama, duke kujtuar se “deri para 5 vitesh ne merrnim 10% taksë nga rrogat”.

Duke u ndalur te përqindja e buxhetit që shkon për arsimin, Rama tha se “ne çojmë për arsimin rreth 10.2% dhe kjo është norma më normale në mesataren europiane, gjithmonë  në raport me buxhetin”.

Kryeministri iu përgjigj edhe të gjithë atyre që kërkojnë që paratë të mos shkojnë për unazën e re por t’u jepen studentëve. “Shpenzimi mbaron, ndërsa investimi sjell të ardhura. Rruga, shkolla, spitali janë aty për 100 vjet. Paratë e harxhuara sot nuk vijnë më në rast se harxhohen. Taksat janë të ardhura nga fitimi, por fitimi rritet me investime dhe nëse ti nuk investon nuk ke si fiton dhe nëse nuk ke si fiton ti kolapson”, tha Rama.

Ajo që nevojitet, tha Rama, janë reforma, punë dhe durim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.