Bllokimi i auditorëve, prania e policisë me kërkesë të universiteteve

TIRANË, 11 janar/ATSH/ – Prania e forcave të Policisë së Shtetit nëpër auditore, është bërë me kërkesë të universiteteve.

Kështu u shpreh sot kreu i qeverisë  Edi Rama i ftuan në një studio televizive, duke theksuar se protesta e studentëve e ka arritur dhe tejkaluar qëllimin e vet.

“Nuk lejoj që të uzurpohen studentët. Janë vetëm 3 grushtë studentësh tërësisht me axhendë politike që po pengojnë mijëra të tjerë që duan të shkojnë në mësim. Policia ka ndërhyrë me kërkesë të universitetit. “Protesta e ka arritur dhe tejkaluar qëllimin e vet, pikat janë marrë në konsideratë dhe me seriozitetin më të madh, por ne kemi shkuar edhe më tej dhe unë shumë shpejt do të ofrojë studentëve Paktin për Universitetin. Policia kërkohet nga Universiteti sepse nuk shkon me urdhër të vet, ajo është kërkuar nga Universiteti. Si mund të shkosh në universitet dhe të bllokosh procesin e mësimdhënies, po ku është parë kjo. Le të futen në një parti politike, të marrin pjesë në garë dhe le të marrin vota për të ndryshuar ligjin. Ligji është vullnet i shumicës që ka marrë votat e popullit, nuk rrëzohet ligji duke bllokuar dyert një grup njerëzish”, – theksoi Rama/

Edhe pse procesi mësimor ka nisur nëpër fakultete, në tre prej universiteteve në Tiranë është penguar ky proces./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.