803 vende të lira pune për studentët e shkëlqyer, si do të funksionojë skema

TIRANË, 11 janar/ATSH/-Për studentët e ekselencës të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga viti 2017 dhe të cilët janë në kërkim të një eksperience në administratën publike, janë hapur 803 vende të lira pune.

Platforma “Punë të Mbarë” që u prezantua sot për herë të parë nga kryeministri Edi Rama iu mundëson të rinjve që kanë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor ose master qoftë ky profesional apo shkencor, me mesatare 9-10 të secilit prej cikleve të studimit, punësim në administratën publike pa konkurrim.

Nëpërmjet portalit do të publikohen për çdo institucion të administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil dhe ato jashtë shërbimit civil, vendet vakante, për të cilët studentët duhet të aplikojnë në sektorët dhe institucionet që ata dëshirojnë.

Por, si do të funksionojë skema e punësimit të tyre? Si do të jetë radha e punësimit në rastet kur studentët aplikojnë me të njëjtën mesatare? 

Fillimisht, studentët do të klikojnë në faqen “Punë të Mbarë”. Në faqen e klikuar gjenden dy rubrika: shërbim civil dhe pozicione të lira jashtë shërbimit civil. Mund të klikojnë në rubrikën e dëshiruar nga vetë studentë. Lidhur me dokumentacionin që duhet të plotësojnë, do u duhet vetëm cv-ja, diploma, lista e notave dhe një vërtetim/vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore së bashku me një fotokopje të kartës së identitetit.

Prioritet do të kenë studentët shqiptarë që kanë studiuar jashtë vendit, për të vijuar me ata që vijnë nga universitetet publike shqiptare dhe më pas studentët e privatëve. Secili student që do të aplikojë do të ketë një kod të tijin, ku do të shohë të gjitha veprimet  e bëra. Pra, këta studentë do të hyjnë në shërbimin civil pa konkurs.

Në dispozicion nga sot janë 601 vende të lira pune në shërbimi civil dhe 202 vende nga institucione me kod pune.

Për të informuar më së miri studentet, kjo platformë do të bëhet e ditur në çdo fakultet dhe universitet. z.tosku/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.