50% ulje tarife për të gjithë studentët, në master përfitojnë më të mirët dhe familjet në nevojë

TIRANË, 11 janar/ATSH/-Kryeministri Rama deklaroi sot gjatë prezantimit të plaftormës më të re të punësimit të studentëve të shkëlqyer në mësime “Punë të Mbarë” se kjo e fundit erdhi si rezultat i reflektimit nga protesta e studentëve.

Ndërsa preku çështjen e përgjysmimit të tarifave të studimit, Rama argumentoi se për nivelin master nuk mund të zbatohet kjo ulje, përveçse për më të mirët, pra ata që janë me 9 e 10 dhe familjet në nevojë. Sipas kryeministrit, masteri është investim personal dhe shoqëria nuk mund të paguajë për këtë.

“Kam dëgjuar komentet për masterin. Nuk bëhet. Ne kemi bërë një përjashtim, do të përgjysmojmë tarifat e masterit për ata me 9, 10 dhe për ata në nevojë. Masteri nuk është detyrim i shoqërisë të paguajë për ty. Shoqëria mund të marrë përsipër të paguajë gjysmën e tarifës por jo përgjithmonë. Ata me 4 dhe 5 në bachelor do marrin përgjysmim të tarifës, por nëse vitin e ardhshëm do paraqiten me këtë mesatare nuk do të marrin asnjë kokërr leku. Shoqëria nuk paguan taksa për ata që përsërisin vitin, pra nuk kanë për të marrë asgjë. Kush është në master është investim yti botërisht. Është një praktikë e lidhur me punën. Dhe kalkulimi i bërë nga ne, vetëm nga mbyllja e llotove ka shumë kursime sidomos me ata studentë me 4 që paratë e prindërve i bënin lloto”, -argumentoi Rama.

Ai foli edhe për një tjetër çështje që lidhet me diferencën mes masterit shkencor dhe atij profesional, për të cilat sqaroi se do të zgjidhet pasi dialogu me studentët do të vijojë edhe kur studentët të kenë harruar që ka pasur protestë, sikurse tha Rama.

“Nga bisedat e bëra, një nga gjërat që ka dalë është diferenca e masterit shkencor dhe profesional dhe kjo do të zgjidhet. Ne do ta vazhdojmë dialogun edhe kur studentet të harrojnë që ka pas pasur protestë, do të vazhdojmë fakultet për fakultet, detaj për detaj sepse ne duam që të rritet cilësia e arsimit”, -tha kryeministri. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.