VIDEO-FOTO/ Çfarë ndodhi sot në fakultete

TIRANË, 10 janar /ATSH/ – Në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, mësimi është zhvilluar rregullisht tre ditët e fundit. Studentët e këtij fakulteti thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se nuk ka arsye për të bojkotuar mësimin dhe se janë të shqetësuar, pasi kanë ngelur pas në mësime.

Atmosfera në fakultet është ajo e një dite të ngjeshur mësimi. Një studente tregoi se po nxitonte të jepte një provim, ndërsa dy të tjera thanë se kanë bërë mësim këto ditë pas pushimeve të janarit, përveç ditës së martë kur kishin dalë në protestë.

“Jemi të shqetësuara sepse kemi mbetur mbrapa me programin mësimor dhe thuhet se nuk do të shtyhet sezoni, dhe na janë shtuar shumë mësimet”, tha njëra prej tyre.

Edhe një pedagoge konfirmoi se në Fakultetin e Mjekësisë po zhvillohet mësim. “Nuk jam futur nëpër auditorë t’i shoh, por është bërë mësim në bachelor paradite”, tha ajo.

Një student i cili është kthyer në auditore, tha se tashmë nuk ka më asnjë kuptim përse të bojkotohet mësimi.

“Për mua nuk ka më asnjë kuptim të vazhdojë protesta. Protesta duket që ka marrë për kot, tani thjesht për të humbur këto ditët e mësimit, pavarësisht se thuhet se ditët e mësimit do të zëvendësohen. Unë për vete nuk jam më për protestën”, tha ai.

Ndërsa te Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë nuk u zhvillua mësim. Një student i këtij fakulteti tha se të paktën edhe nesër nuk do të zhvillohet mësim. Por nga ana tjetër, ai kërkoi mirëkuptim nga studentët që duan të rikthehen në auditorë për të rifilluar mësimin.

“Në Fakultetin e Ekonomisë aktualisht nuk po zhvillohet mësim, sepse është një vendim i të gjithë studentëve. Për momentin, të paktën dhe për nesër nuk do të ketë mësim, ky është vendimi i fundit. Besoj do na mirëkuptojnë edhe ata studentë që deri tani kanë insistuar që të shkojnë në mësim”, tha ai.

As në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nuk u zhvillua mësim. Këtë e konfirmoi edhe një studente e cila kishte ardhur për të ndjekur mësimin. “Për momentin unë i hodha një sy, dhe nuk kishte mësim në asnjë klasë”, tha ajo.  /o.l/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.