Ulja trefish e taksave, burim punësimi e fitimi për sipërmarrjet

TIRANË, 10 janar/ATSH/- “Me uljen trefish të taksave bizneset mund të marrin frymë lirisht, se faktikisht 15% taksa ishte realisht e lartë, por ishte e pamundur më parë për ta ulur. Tani na u krijua mundësia”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në “Shtëpinë e artizanatit” në Tiranë, një sipërmarrje e zonjës Edlira Sulaj, kostumografe, ku prodhohen veshje tradicionale shqiptare, por edhe të disa vendeve të ndryshme të botës.

“Ulja trefish e taksave synon pikërisht që gjithë këto biznese në këtë fashë, i kemi parë gjatë këtyre ditëve dhe jemi të vetëdijshëm janë biznese me një lloj përmbajtje të sofistikuar që ndryshojnë shumë për diversifikimin, për inovacionin, për zëra në ekonomi që janë realisht të nevojshëm”, – theksoi Rama.

Edlira Sulaj, kostumografe dhe drejtuese e “Shtëpisë së Artizanatit”, u shpreh se “kam vite që merrem me prodhimin e veshjeve tradicionale, kam 15 vite teknikisht, e kam studiuar vetë nga fillimi deri në fund dhe prodhoj veshjet e të gjithë krahinave shqiptare. Por, këtu mendova që veshjen tradicionale ta vendos edhe në shërbim të turizmit dhe të trajnimit të të rinjve për të mësuar prodhimin e veshjeve tradicionale”.

“Kemi shtruar edhe veshje të reja, edhe veshje të rindërtuara, edhe produkte artizanale, jo vetëm të miat, por edhe të artizanëve nga e gjithë Shqipëria. Jam munduar t’i prezantoj këtu, sepse duke e qenë se e di vetë sa i vështirë është artizanati kam bashkëpunuar dhe i kam mbledhur të gjithë bashkë për të patur produktin artizanal në një prezantim kaq të mirë, në një ambient kaq të mirë. Besoj se do t’ia rrisim edhe vlerat këtij produkti”, nënvizoi Sulaj.

Duke folur për punën e saj, Sulaj sqaroi se “veshjen tradicionale e prodhoj këtu brenda, por për të krijuar veshjen tradicionale nga fillimi deri në fund ka 36 procese pune. Duke qenë se vite me radhë kam ecur vetë duke parë çfarë vështirësish ka dhe çfarë vlerash ka ajo unë them se është një mundësi e madhe punësimi”.

Sipas saj, 70% e produktit artizanal është fuqi punëtore, sa më shumë t’ia rrisim vlerën atij produkti, aq më shumë ka të punësuar.

Ajo shprehet se “këtu kanë ardhur njerëz nga Kroacia, norvegjezë, kroatë, grekë, njerëz që duan të bashkëpunojnë. Por, ka një ngërç tjetër që për të lidhur kontratat e bashkëpunimit duhet të kesh fuqi punëtore dhe fuqia punëtore zgjat mbi një vit të nxjerrësh specialistë”.

Kryeministri Rama tha se “ne mund do t’ju ndihmojmë me programet e trajnimit. Faktikisht ajo që bëjnë programet e trajnimit i japin mundësinë atyre që janë gra me ndihmë ekonomike të dalin nga kjo skemë dhe pjesa e pagesës plus t’ju jepet juve, në kuptimin që ato ta marrin me punë dhe ndërkohë të trajnohen, deri sa të jenë gati për të marrë rrogën”.

Sulaj tha se “nëse ne do të kishim shumë specialistë për krijimin e produkteve artizanale, atëherë do të kishim mundësinë e eksportit. Me uljen e taksës, unë do të rris numrin e punonjësve, pasi pasuria ime e madhe janë punonjësit, sepse ata janë me vlerë për mua”.
“Duke rritur numrin e punonjësve dhe bashkëpunimin me artizanët e tjerë mund të jem e gatshme të lidh edhe kontrata bashkëpunimi me të huaj dhe shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit”, tha ajo.

Sulaj foli edhe për prezantimin e veshjeve tradicionale në Festivalin e Gjirokastrës.

“Vitin që vjen është edhe Festivali dhe mund të jetë një mundësi shumë e mirë për të rritur cilësinë e festivaleve folklorike duke pasur edhe veshje origjinale”, u shpreh ajo.

Sulaj tha se mbështetjet e vogla nga qeveria kanë shkuar direkt në dorë të artizanatit, mbështetje 4-5 mijë euro. “Kjo ka qenë një ndihmë e madhe, po ta kisha para 10 vitesh do ishte ndihmë e madhe”, shtoi Sulaj.

Kryeministri Rama theksoi se “çfarë bëjmë më mirë se para 10 vitesh nuk bie në sy, çfarë është akoma halli para 10 vjetëve e kemi ne fajin”.

Sulaj tregoi më pas detaje të tjera nga puna e saj, ndërsa bëri të ditur se i kërkojnë edhe veshje nga vende të ndryshme të botës.

“Për të mësuar teknikat e punimit kam udhëtuar në Kumanovë, Maqedoni, Prizren, Kosovë, Gjirokastër, Korçë, Tiranë”, tha Sulaj./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.